
BURRERESHA E MOLLËS SË KUQE
TREGIM – NGJARJE E JETUAR
Duke u nisur nga një thënje të cilën e kam dëgjuar qysh e vogël, kur bëhej fjalë për ndonjë grua dhe thuhej: – “Ishte burrëreshë sa shtatë burra”! Apo…, “Ajo ishte burrëreshë, sa shtatë burra të mateshin me të me burrëri, nuk i afroheshin afër”, vendosa ta titulloj këtë tregim me titullin “Burrëresha”. Besoj edhe ju të gjithë e keni dëgjuar këtë thënje, sepse të tilla ishin dikur gjyshet dhe nënat tona!Në vitet 1868-1878 Sanxhaku i Nishit ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Prandaj, prej shumicës dërmuese të popullsisë edhe Sanxhaku i Nishit quhej Shqipëri.
Në Luginën e Nishit kësaj periudhe, u vranë e u masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë ( dokumentete osmane e vertetojne prezencen e banorëve shqiptarë në qytetin e Nishit ), u plaqkitën e u dogjën 300 shtepi. “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e Gerdelicës, deri te Vranja e Kumanova. Pushtuesit zbatuan gjenocid e etnocid me strategji të tokës së djegur për spastrimin etnik shqiptar të tokave të aneksuara me përkrahje morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë e të Evropës. Princi i Sërbisë, Milan Obrenoviq urdhëroi ushtarakët dhe paramilitarët çetnikë: “Merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb do t’i ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë!“ Në kushte të një dimri me borë qe nuk mbahet mend, nxori nga shtepitë rreth 350.000 shqiptarë të Toplicës, Kosaonicës, Pustarekës etj., qe banonin në rreth 700 lokalitete, prej të cilave rreth 640 plotësisht shqiptare e me shumicë shqiptare islame nga fundi i shek. XVI-fillimi i shek XVII. Rreth 350.000 shqiptarë kryesisht muslimanë i larguan nga trojet stergjyshore ushtritë greke e malazeze. Burimet flasin për rreth 70.000 shqiptarë të therë, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarrë vetem me 1877/78. Asnjë hap të Fuqive të Medha për të parandaluar gjenocidin me shumë tipare të kanibalizmit të shfaqur veçanërisht nga serbët mbi shqiptarët e shqiptaresinë e Sanxhakut të Nishit!? Me ndjekjen e shqiptarëve disa fshatra në ato anë mbetën plotësisht të shkreta,disa fshatrave nuk u diheshin emrat, sepse nuk kishte kush ti tregonte. Në vend te tyre u vendosën serbët dhe malazezët besnik të regjimit. Popullata e debuar shqiptare nga Sanxhaku i Nishit,kryesisht u vendos në territorin e Kosovës së sotme, disa u vendosën në territorin e Maqedonisë e shumë prej tyre të mjer përfunduan jasht Kosovës,përtej Bosforit,në shkretetirat e Anadollit e më gjer.
Këto janë shenime të marra, sa për informacion…, por le të kthehemi te tregimi në fjalë.
BURRERESHA E MOLLËS SË KUQE
Në mesin e atyre trojeve të okupuara ishte edhe fshati Maqedonc, ku jetonte familja e xha Hetemit. Ky fat i keq e ndoqi edhe atë me familjen e tij, i cili si të gjithë ata shqiptarë, i la shtëpi e katandi dhe u dëbua me dhunë. Nga dhimbja në zemër që largoheshin nga trojet e tyre stërgjyshërore, ai morri me vete vetëm emrin e fshatit dhe me pas vendosi që ai emër i fshatit të jetë mbiemri i tij, me qëllim që brezat e ardhshëm ta dinë prejardhjen e tyre dhe të mos harrohen ato toka. Ai, si shumica e shqiptarëve që nuk dëshiruan të shpërngulen për në Turqi, u vendos në pjesën verilindore të Kosovës.
Xha Hetemi ishte një burrë i pashëm dhe shtatëgjatë. Ishte njeri i dashur, i besës dhe i fjalës. Mbi të gjitha ishte një atdhetar dhe patriot.
Ai i kishte shtatë vajza dhe një djalë të cilin e quanin Mon. Moni ishte një djalë simpatik, i gjatë, i bukur dhe kishte një zë shumë të bukur për këndim. Çiftelinë e mbante në njërën dorë dhe në tjetrën armën. Gjatë gjithë jetë ssë tij, këto dyja kurrë nuk i kishte larguar nga dora. Shpesh herë dilte në një kodër dhe këndonte me çifteli. Ishte mjeshtër i saj dhe kishte talent të shkëlqyer. Zëri i tij dëgjohej gjithandej, sa here që ia merrte këngës.
Meqë prindërit ishin në një moshë mbi të pesëdhjetat, shumë here e kishin shfaqur dëshirën që t’i gjenin një vajzë për nuse dhe të martohej, por ai gjithmonë ishte arsyetuar me pretekstin se “nuk kishte ardhur ende koha për nuse”. U thoshte se kishte punë të tjera më të rëndësishme dhe kur të perfundojnë ato do të marrë vajzën e duhur. Shtëpia e tyre ishte e dalluar në atë fshat, sepse xha Hetemit i shkonin shumë gjera për dore. Bile edhe banorët e atij fshati i mësuan shumë gjera nga ai, më pas, qe ata nuk i kishin ditur.

Ishin vite të vështira të asaj kohe. Bëhej shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, kishte vrasje, plackitje nga xhandarmeria serbe. Në kohën kur Kosova ishte pushtuar pas vitit 1912, në Beograd, ishte themeluar “Klubi kulturorë serb”, misioni i të cilit ishte shpopullimi, asimilimi dhe, serbizimi i trojeve shqiptare. Moni si shumë trima të tjerë ishte luftetarë në male apo siq i quanin në ate kohë “kaçak malesh”, me armë në dorë. Kishte vite që bënte jetën e “kaçakut” dhe jetonte në male. Vinte herë pas here në shtëpi, t’i takonte prindërit dhe të mirrte ca bukë për shokët, sepse nëna e tij gatuante bukë edhe për shokët e Monit dhe trimay të cilët strehoheshin në male dhe luftonin me armë në dorë. Një ditë në disa luftime, Monin e kishte marrë një predhë, në gjoks dhe shokët pas ndihmës që i kishin dhënë, kur e verejtën se gjakderdhja nuk kishte të ndalur vendosën ta dërgonin fshehurazi në shtëpi. Nën kujdesin prindëror dhe të shtatë motrave, të cilat u përpoqën me mishë e me shpirtë t’i jepnin ndihmën vellaut të vetem që e kishin, ai pas tri ditësh ndërroi jetë. Familja e xha Hetemit, mbeti pa dritën e vetme që e kishte, pa të vetmin djalë. Dhimbja ishte e madhe.
Motrat qanë e vajtuan me të madhe. Xha Hetemit iu duk sikur ju thye njëri krah, e ju përmbys qielli mbi kokë. Nënë Mires iu duk se ju nda zemra në dysh. Ditet kalonin dhe ata dy qëndronin në heshtje. Shpesh herë xha Hetemi, e shiqonte murin ku e mbante varur çiftelinë Moni kur ishte në shtëpi dhe donte të pyeste Miren, kush e morri çiftelinë e Monit?! Por, ju kujtua se Moni e kishte marrë me vete çiftelinë, atje në male. Mirja shumë here ju fliste vajzave dhe xha Hetemit e perpiqej sado pak t’ua lehtësonte dhimbjen, duke ju thënë, se trimat kështu e kan. Ata, në atë moment qe i rrokin armët në dorë dhe duan t’i dalin atdheut në mbrojtje, ata vetën e llogarisin të vrarë. Sepse, sic thoshte ajo, vetë trimëria e tyre nuk i lë të qetë, të rrinë e të bëjnë sehir se si atdheu ynë po copëtohet e po shkilet nga këmbët e huaja.
Eh, nënë Mirja të gjithëve u thoshte fjalë ngushëlluese, i afronte pranë vetes dhe perpiqej t’ua zvogëlonte dhimbjen. Ndërsa asaj? Kush t’i fliste e ta ngushëllonte zemrën e saj të përvëluar! Xha Hetemi kishte ca tokë, për të cilën e ndihmonin bashkëshortja me vajzat ta punonin. Thuhet se bereqeti më i mirë kishte qenë në arën e tyre. (Çka vite më pas e gjer më sot kurrë më ajo tokë nuk ka lulëzuar) Pasi që vajzat ishin martuar dhe pas vdekjes së Monit, nuk i punonte trupi, nuk i thoshte zemra më të bëj asgjë. Deshironte të ishte atje në male me ata trima, atje ku e pati djalin, por mosha e bënte të veten. E qetësonte vetën duke thënë se, po erdhi puna nuk do e lëshoj sërish pragun e shtëpisë leht jo, kam fuqi t’ja ngrehi gishtin asaj të bekueme pushke. Akoma më punojnë duart.
Pas vdekjes se Monit, fqinjët i kishin drejtuar sytë nga familja e xha Hetemit dhe disa shpirtligë ishin bërë kurreshtarë se si ta merrnin atë pasuri. Dëgjoheshin zëra se xha Hetemit djali që e pat i vdiq,vajzat ishin të martuara dhe pleqët një ditë kur të vdesin pasuria do të mbetet e tyre. Sa ishte gjallë Moni, ata nuk kishin guxuar të ndihen për së gjalli, sepse ia kishin shumë frikën se ai kishte qenë trim, i vendosur, i rrept dhe i prerë në vendime. Tipare këto që i kishte trashëguar nga i ati.
Gruaja e xha Hetemit, Mirja ashtu siq e kishte emrin Mire, ishte me të gjitha të mirat. Ishte një grua shumë e bukur, me shtatë të gjatë, e pastër, punëtore, shpirtë mirë dhe shumë mikpritëse,por, mbi të gjitha ishte burrëreshë.
Thuhet se, ajo asnjëherë nuk kishte dalur ta punonte tokën pa armën në brezë, sepse sa i kishte vajzat e reja dhe të pamartuara kishte frikë se dikush do të dalë dhe do të tentoj të vej dorë dhe t’i prek në moral ato, sepse të gjitha ishin sa të rritura aq edhe shumë të bukura. Një ditë, dy fqinjë ecnin dhe po bisedonin, ndërsa Mirja ishte prapa tyre disa hapa, ku ata nuk e vërenin që ajo e dëgjonte bisedën e tyre. Njëri nga ata u dëgjua që tha:
– Hetemit i vdiq djali i vetëm që e pat, vajzat jan të martuara dhe hisja do të mbetët e jona!
Këto fjalë i therrën zemren Mires. I rrodhën lotët nga sytë dhe ofshani thellë, e tha me vete:
– Jo qe besa, nuk do të mbetet e juaja pasuria e burrit tim, e as nuk do ta trashëgoni!
Shpejtoi hapat dhe shkoi në shtëpi. U vesh dhe u mbath, i morri kafshët dhe i lidhi në karrocën e drunjët dhe u nis. Rrugës fliste vet me vete dhe herë herë fshinte lotët. E kujtonte Monin e saj të vetëm, dritën e syve të saj, i cili në moshën rreth njëzet e pesë vjecare i mbylli sytë nga ato plagë të rënda qe i kishte. E kujtonte gëzimin që e kishin ndier ajo dhe xha Hetemi së bashku me vajzat, kur kishte lindur Moni. E kujtonte kohën kur ai kishte qenë i vogël, kur ishte fëmi, se si lozte nëpër oborr, se si herë pas here i kerkonte bukë, se si i hidhej në qafë dhe e përqafonte. E kujtonte zërin e tij të ëmbël kur këndonte nën tingujt e çiftelisë. Ofshante thellë dhe i drejtohej Zotit!
– Pse, pse o Zot ma bëre këtë, pse ma morre Monin e mua më le të jetoj!
– Pse ia thave krahun Hetemit, pse i le vajzat pa vëlla?
Fshiu lotët me skajin e shamisë dhe i tërhoqi kafshët për të ndaluar karrocën.Vetë me vete tha:
– Ku jam duke shkuar?!
– Për ku jam nisur?!
– Ah…, po – tha ajo. Tani e di për ku jam nisur!
Qeshi me vetën dhe i tërhoqi frenat e kieve dhe i goditi mbi kurriz me thuprën që e mbante në dorë. Eh, tha me vete, jam nisur të kërkoj grua për burrë. Kam vendosur ta martoj Hetemin dhe shpresoj të na gëzoj Zoti me një djalë, e hisja të mos mbetet e askujt por e djalit tonë që do të na e falë sërish Zoti!Ai është i madh – tha me vete dhe drejtoi sytë drejt qiellit sikur deshti ta vërtetojë se Ai qëndron atje lart dhe ishte më se e bindur se Ai po e dëgjon. Sapo arriti në një fshat ku kishte bërë rrugë disa orë, takoi një bareshë me një tufë dele. E ndali karrocën, zbriti ngadalë duke u mbajtur dhe iu afrua e u përshëndet me të. Gruaja që rrinte ulur nën një hije të një peme, sapo e përshëndeti e pyeti:
– Nga të kemi moj motër…? Për ku je nisur…?
Mirja, sapo u ul pranë saj, qeshi dhe me buzë ne gaz i tha mikeshës së re.
– Jam shqiptare por e shpërngulur nga Shqypnia në Shqypni, por nuk e di këta malësort po na thonë “muhagjer”! Po si moj motër “muhagjer” në tokën tonë, e në vendin tonë?! Po ne nuk kemi shkuar askund jashtë vatanit tonë. Muhagjer jan shkiet atje në tokat tona që na i morrën e na perzunë duke na vra, djegë e plaqkitë. Ne nuk jemi “muhagjer” pasha tokë e qiell, sepse edhe këtu i thonë Shqypni! Eh…, sa për të vetnen ç’em bane ti se për ku jam nis, me të thanë të drejtën kam dalë me kërkue grue për burrë.
– Qyqeee…, ia priti bashkëbiseduesja. Po bën shaka moj e urume! Po si moj fisnike po kërkojshe grua për burrë? Po ti qenke e bukur si zana, e gjatë e filize, a të kan lënë ment a çka qenka bërë me ty, si po dojke me i qitë vetit ortake?!
– Eh moj motër, – ia priti Mirja. Jo nuk kam dalë mend qe besa, se pasi shpëtova pa më lënë mentë nga tragjedia që ma përvëloi shpirtin nuk besoj se do të ketë rast të luaj menq ndonjëherë në jetën time.
– Po pse moj motër, ç’far ndodhie ta paska përvëluar shpirtin?! – E pyeti e habitur bashkebiseduesja.
Mirja pasi u rehatua nën hije dhe e rregulloi pak a shumë vendin që të ulej, vazhdoi bisedën. Ah moj motër, ajo çka ma ka përvëluar shpirtin mua, mos i ndodht askujt. E pata një djalë për mallë në mesin e shtatë vajzave. E rrita me mund e me thërmija. E pata shumë të dashur, të urtë, të dëgjuar, të bukur e mbi të gjitha trim. Dhe zate qajo trimëri e dërgoi atje ku është…, dhe i rodhën lotë, të cilët i fshinte herë pas here me skajin e shamisë. Kur e kuptoi bashkëbisedusja dhimbjen e Mires, u përpoq ta ngushëllonte dhe përnjeherë edhe asaj i rrodhen lotët. Fjalët e Mires ia prekën shpirtin.
– Po halli tani, pse don grua për burrë? – e pyeti mikja, Miren.
– Ju i paskit edhe shtatë vajza?
– Eh, isha duke ta thënë…, ia ktheu Mirja.
– Pse dua grua për burrë? – thua ti. Dua të mos i humbet gjeni t’im shoqi moj motër.A pak shkau po na vret, po na masakron, po don të na e humb farën e shqiptarëve?!Jo qe besa, nuk dua të shuhet familja jonë, dua ta martoj burrin e do Zoti të na gezoj me një djalë e të na shtohet familja brez pas brezi, tha Mirja dhe u lëkund vendi kur përmendi Zotin!Vajzat qofshin për vete dhe nuk thonë kotë, vajza është kafshata e huaj, ato tani janë në fis të huaj dhe do ta shtojnë familjën e burrave të tyre, jo të babait. Fliste Mirja dhe e lëvizte një fletë dushku që e mbante në dorë, të cilën e këputi nga pema para se të ulej.
– Po ti moj motër, nuk më the gjë për vetën? Ndoshta nuk të lashë unë rend të flasësh dhe e shiqoi miken e re sikur deshti t’i kerkoj falje.
-Eh, moj moter…, ia priti mikesha e re. Edhe unë kam halle e mërzija si të gjithë. Ç’farë të bëjmë, kështu është kjo jetë, lloj lloj hallesh e brengash kanë njerëzit, dikush të vogla e dikush të mëdha. Unë për vete isha e martuar, por fati nuk më buzëqeshi gjatë, pas një viti martese im shoq vdiq. Edhe unë e pata e një djalë, nga i cili pas vdekjes së të shoqit, mua më ndanë nga ai vendë dhe gjithashtu edhe nga djali im i vetëm, tha ajo dhe ofshani njëher thellë kur e përmendi djalin. E shiqoi në sy Miren dhe i tha: – Ty të ndau vdekja nga djali yt, ndërsa mua ma ndanë për së gjalli! Dhe tani siq më sheh jam e vetme, jam jetime dhe askënd nuk kam para vetes. U rrita siq rritet jetimi!
Mires i erdhi keq ngase dëgjoi. U mendua pak dhe e pyeti:
– Po tani don të martohesh sërish?
– Eh,ja priti mikja. Po si të martohem, me ken të martohem…, kush më do mua të tillë?!E shiqoi Miren dhe sytë i drejtoi nga këmbët e saj. Mirja nuk e kuptoi se ç’far donte të thoshte dhe i tha:
– Pse kush të don ty?!
– Ja unë po të dua dhe po të kërkoj ta martosh burrin tim!
Mikesha u skyq në fytyrë dhe pas pas duke qeshur i tha:
– Mua don të më bësh ortake?!
– Po…, i tha Mira duke qeshur, pse jo? Nëse edhe ti pajtohesh dhe më pranon mua për ortake!Fati na takoi dhe lus Zotin të jeteë hair ky takim i yni.
Mikesha sërish duke qeshur i tha Mires:
– Po unë tani jam e pa aftë nga këmbët. Nuk mundem të eci, vetëm këto nallane të drurit i vej në dorë dhe eci ulurazi.
Mires i erdhi shume keq për të dhe ndjeu dhimbje në zemër. Per t’ia lehtësuar dhimbjen mikes i tha:
– Pa merak moj motër, do të kujdesem unë për ty tamam si për motrën time. Mos ke merak. Edhe nëse do Zoti na gëzon me një djalë, unë do të kujdesem për të. Do ta laj e shpërlaj si fëmiun tim. Vet do ta rriti me shumë dashuri dhe kujdes, padyshim do të kujdesem edhe për ty.
Sapo u kuptuan me njëra tjetrën dhe ranë dakord, mikja e luti Miren që delet t’i dergonin te shtëpia e një të afërmit të saj, ku ajo jetonte me ta. Donte t’ua bënte me dije për vendimin që morri dhe të përshendetej me ta. Sapo përfunduan, morrën rrugën për në shtëpi dhe përpiqeshin të mbërrinin pa i zënë errësira. Hypen në qerren e drunjët të cilën e tërhiqnin dy kie dhe gjatë rrugës bisedonin njëra me tjetrën. Sapo arritën te shtëpia, Mirja i ndihmoi mikeshës të zbresë nga karroca dhe u futën mrenda në shtëpi. Pasi i dëshiroi mikeshës së re, tani ortakës mireseardhje, vrapoi te mbushë një kovë me ujë dhe ta vë mbi zjarrë dhe filloi edhe ta përgadisë darkën. Xha Hetemi, i cili nuk kishte qenë në shtëpi sapo erdhi, e dëgjoi të shoqën qe po bisedonte me dikend mbrenda në dhomë. U kollit njëherë për t’ia bërë me dije të shoqës se erdhi. Mirja sapo e dëgjoi të kullurën e tij doli jasht. U përshëndeten dhe xha Hetemi i tha:
– Kush është k’tu moj fisnike?
Mirja buzëqeshi dhe i tha:
– E kam sjellur një grua dhe me kysmet nga nata e sontme kjo grua është gruaja jote e ardhshme. Ai u trondit nga këto fjalë dhe i tha:
– Po ty të paskan lënë ment moj fisnike, po si e ke sjellë atë grua për mua?
Xha Hetemi u zemërua dhe filloi të bërtase me të madhe e duke i thënë Mires:
– Po kush të tha ta bësh një gjë të tillë? Kënd e pyete ti për këtë punë? A je në vete ti?
Ajo i tregoi fjalët që i kishte dëgjuar nga fqinjët në rrugë dhe i tha:
– Shumë rënd më erdhi dhe kjo ishte arsyeja që e morra këtë hap dhe vendosa të të martoj ty mor burrë dhe hisja t’i mbetet djalit tënd e jo atyre. Ti je akoma i ri dhe për Zotin nuk është vështirë, ai ka mjaft. Do të na gëzoj serish dhe do të na e dhuron një djalë.
Mirja e luti dhe iu përgjerua ta pranoj këtë “dhuratë” të saj dhe të pajtohet me fatin. Xha Hetemi e dinte këmbëngulësinë e Mires, e dinte shpirtin e saj prej fisnikeje dhe aq më shumë zemergjerësinë e saj, e puthi në ballë dhe i tha:
– Të faleminderit moj burrëreshë, për këtë sakrificë që po e bën, ti je kaq e mirë e kaq fisnike, prandaj Zoti të bekoftë dhe u bëftë ashtu siq dëshiron ti.
U ulën për të ngrënë darkë së bashku që të tre dhe kur erdhi koha të bien në gjumë, Mirja ua rregulloi vendin dhe ju uroi natë të mirë. Xha Hetemit i dhimte shpirti për të, ishte nata e parë që ai flinte larg saj. Kurrë në jetën e tij, nuk i kishte shkuar mendja që ta bëjë një gjë të tillë. Në mendjen e tij silleshin shumë gjëra, i dilnin fytyrat e vajzave përpara, i dilte Moni i tij. Por ja, fati ishte i tillë dhe ai yll i vetëm që e patën u shua. Tani ishte dëshira e Mires, që të lindte një yll tjetër dhe të bëhej gëzimi i shtëpisë së tyre. Të bëhej trashëgimtari i familjes së tyre, sepse edhe xha Hetemi ishte i vetmi djalë dhe nuk kishte as edhe vetëm një xhaxha.
Ditët kalonin dhe Mirja mezi priste të mirrte lajmin nga ortakja e saj se kishte ngelur shtatzënë. Dhe ajo ditë nuk voni shumë e erdhi. Përpos saj, lajmin e morri vetëm xha Hetemi dhe vajzat. Pas nëntë muajsh erdhi dita kur gëzimi i tyre morri dhenë, u dëgjua vaji i foshnjës ku vërtetë Zoti e realizoi dëshirën e Mires dhe lindi djalë. Mirja nga gëzimi me lotë në sy e puthte foshnjën dhe i uronte mirëseardhje në këtë jetë duke i thënë:- Paç fatë o engjull, paç fatë e jetë të gjatë!Jetofsh sa bjeshkët e kësaj malësie!
Sapo i ndihmoi nënës së foshnjës dhe e pastroi vogëlushin, morri armën dhe doli në oborr e ja dha të shkrepurave disa herë. Fqinjet sapo dëgjuan krismat e armës dolën me vrap nëpër oborret e tyre duke thënë: Te Hetemi po dëgjohen të shtëna arme, a thua çka ka ndodhur? Kur i vuri re Mirja se ata dolën jasht në oborret e tyre, ju thirri me zë të lartë:
– Heeeeeej, a degjoni ju moreeeee…, te Hetemi lindi një djaaaaaaalë. Eh, për Zotin nuk është zor jo. Ja na u shtua familja dhe ka kush ta trashëgoj shtëpinë e Hetemit!
Fqinjët hynë mrenda me kokën ulur dhe e kuptuan, pse Mirja ua tha ato fjalë!
Edhe Mirja hyri mrenda e gëzuar dhe e morri sërish djalin në duar dhe duke e puthur e duke i thënë, të pastë nëna për jetë, u rritsh e u bëfsh trim e burrë. Ia ktheve krenarinë babait, ma shtove mua gëzimin për jetën, ua mbushe zemrat motrave me gëzim dhe tani edhe ato sërish kan për të thirrur vëlla. E kanë derën të hapur për jetë e motë. E puthte vogëlushin dhe herë qante e herë qeshte nga gëzimi. Kështu familja e xha Hetemit u bë me trashëgimtarin e tyre, i cili rritej dita ditës me shumë kujdes dhe dashuri. Nënë Mirja nuk e linte të prekte në tokë, e mbante në krahë, në qafë kur shkonte të punonte tokën. Ajo e quante Gëzim, sepse vërtetë në atë familje gëzim më të madhë nuk pati. I lutej Zotit t’i japë jetë asaj e ta martojë, ta shihte shtëpinë të mbushur me nipa e mbesa. Xha Hetemi nuk arriti të jetojë shumë gjatë. Shtatë vite më vonë ai ndërroi jetë, por të paktën e la trashëgimtarin pas vetes. Nënë Mirja iu betua se ajo do të kujdeset për djalin e tyre, se do ta edukoj, do ta burrëroj e do ta trimëroj. E mësonte vogëlushin si ta mbante armën, si ta përdorte, si të gjuaj me të. Kishte dëshirë qe ai të burrërohet dhe të bëhet një trim. Kishte frikë nga fqinjët se do t’i bëjnë ndonjë të keqe djalit sapo të rritet. Aq sa e donte ajo edhe vogëlushi e donte shumë. Flinte me të në një shtrat dhe nuk i ndahej për asnjë moment edhe pse e dinte se nëna biologjike nuk ishte ajo. Bile, shumë herë me fëmijët e fshatit grushtohej kur ata i thonin, se ajo nuk është nëna jote, por është njerka.
Ajo çdo herë i fliste djalit për Monin, i tregonte sa i dashur ka qenë, sa trim e besnik ishte ai. I tregonte sa zë të bukur që kishte dhe si dilte shumë herë në një skaj të oborrit, apo edhe atje në kodër dhe e mirrte edhe çiftelinë me të cilën instrumentonte shumë bukur dhe këndonte. I thoshte se ai kishte ditur ta përdorte armën shumë mirë dhe se ishte në gjendje të gjuaj në shënjestër në një largësi bukur të madhe.
Kur fliste nënë Mirja për Monin, i qeshte nuri. Shpesh herë shkonte me të përdore pranë varrit të Monit! I tregonte edhe për shpërnguljet që ishin bërë dhe pse ata ndodheshin në atë rreth dhe quheshin “muhagjer”!. Vitet kalonin dhe edhe nënë Mirja nuk ndihej mirë me shëndet. Një ditë u ndie shumë keq nga një dhimbje në gjoks, e cila edhe i solli vdekjen. Vogëlushi ishte rreth të njëmbëdhjetave, kur edhe nëne Mirja ndërroi jetë. Ai qau në dënesë. Nuk mund ta paramendonte jetën pa nënë Miren edhe pse e kishte edhe nënën që e lindi.
Nuk thonë kotë: – “Nënë është ajo që të rrit jo ajo që të lind”!Frika qe ajo e pati, se fqinjët një ditë do t’i bëjnë djalit të tyre ndonjë të keqe, ishte një parandjenjë e saj e qëlluar. Vërtetë ashtu ndodhi. Fqinjët filluan të sillen ne mënyrë shumë të poshtër dhe të egër ndaj vogëlushit. I dilnin në rrugë, ia zinin pritën, e frikësonin dhe e mallteretonin shumë here. Një ditë kur ai nuk kishte qenë në shtëpi, sepse i duhej të punonte si shërbëtorë e të siguronte kafshatën e gojës, ata i kishin hyrë në shtëpi dhe ia kishin rrahur nënën deri në alivanosje dhe e kishin përgjakur të tërën. Kur djali erdhi në shtëpi e gjeti nënën gati gjysmë të vdekur dhe të përgjakur. U mërzit shumë dhe morri armen dhe vendosi t’ju hyjë në shtëpi e t’i vrasë të gjithë. Por nëna duke qajtur e luti dhe iu përgjërua që të mos bëj ndonjë bela. Kishte frikë e gjora sepse ky ishte i vetëm dhe ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç. Ndërsa, ata ishin shumë dhe të gjithë burra, disa edhe rreth mbi të dyzetat. Dhuna nga fqinjët u shtua me të madhe, sa që një ditë i kishin dalur në prite\ë gjashtë apo shtatë pre tyre me shkopinjë të drurit, bukur të trashë dhe tentonin ta rrihnin, ndoshta edhe ta mbysnin. Djali u tremb kur i pa. I luti me fjalë të mira që t’ia lironin rrugën, por ata filluan të tallen me të për mirësjelljen e tij. Kur njëri nga ata e ngriti dorën lart dhe tentoi ta godiste në kokë, me shkopin e drunjtë, djali beri dy hapa mrapa dhe e nxorri revolen, të cilen nënë Mira ia kishte falur dhe e kishte porositur që kurrë të mos delë pa armën në brez. Ata filluan të qeshin me të madhe, kur ja panë revolen në dorë dhe i thanë:
– Shihe, shihe, qenka bërë burrë djali, paska edhe revolver!
Ky i luti të mos i afrohen afer qoft edhe vetëm një hap, por ata e “hëngrën në sy” dhe filluan t’i vërsulen. Kur djali ngrehu gishtin në këmbëzën e revolverit dhe arma shkrepi, djali ngase ishte sa i vogël me moshë aq edhe i dobët nga fiziku, nga e krisura e armës u rrëzua. Ata lëshuan drunjët dhe ia dhanë vrapit për të ikur. Ai u ngrit në këmbë shpejt e shpejt, e morri armën e cila i kishte rënë në tokë dhe vuri re ca pika gjaku. Shpejtoi hapat për në shtëpi dhe i tregoi nënës gjithë ndodhinë dhe vendosi ta braktisë fshatin, sepse përndryshe mund të vinte edhe më e keqja. Ata e dinin se ky ishte i vetëm, vetem me nje nene plake. Motrat i kishte të martuara më larg dhe askend nuk e kishte afër vetës. E morri nënën para duarsh dhe në një torbë krahu futi ata pak ushqim që e kishin dhe vendosën të largohen përgjithmonë nga ai vendë. Nuk dinte nga të shkonte dhe kah sytë kembët, siq thonë. Ashtu duke ecur, ishte i lodhur dhe i katandisur në shpirtë i zuri nata në mal. Atë natë bënë një sy gjumë aty dhe me të zbardhur sërish morrën rrugën. Fshat pas fshati, arritën në fshatin Koliq, ku aty ishte e martuar një vajzë e njerës motër. Qëndruan disa netë aty dhe më pas u nisen drejt Prishtinës. Mbas shumë vështirësive, më në fund u vendosën në një shtëpi të marrë me qira.Kështu, për djaloshin dhe nënën e tij, filloi një jetë e re. Filloi të hulumtoj për ndonjë punë dhe të krijoj shoqëri me njerëz të mirë. Pas disa vitesh për fat u takua me një njeri të mirë i cili quhej Ibrahim i cili bashkë me familjen e tij kishte qenë i shpërngulur në Izmir të Turqisë, por kishte qëndruar vetëm gjashtë muaj atje dhe kishte ikur dhe ishte futur sërish në Kosovë. Mbas një kohe, kur ai i pa sjelljet e tij shembullore dhe e vuri re se ishte një djalë i fjalës e i sjellshëm, e morri në shtëpinë e vet dhe ia lëshoi një dhomë me qira dhe punonin së bashku me djemt e tij. Vite më vonë, kur djaloshi u rrit, Ibrahimi e bëri dhëndërr të vetin. Sapo i grumbulloi ca para, vendosi ta blente një shtëpi dhe krijoi familjen e tij. Ai ndërroi jetë ne fillim të dhjetorit 1997, ku ne ceremoninë a varrimit morrën pjesë qindra vetë ku para tyre Adem Demaçin e lexoi një letër falenderimi dhe mirenjohje për kontributin e tij dhe gjithë familjes ndaj çështjes sonë kombëtare.! Falë vullnetit të nënë Mires, asaj burrëreshe zemër mirë, e cila e sakrifikoi vetën dhe dashurinë e saj ndaj burrit, familja e xha Hetemit u shtua dhe djaloshi e rriti familjen me katër djem dhe dy vajza (ku fëmija më i vogël jam unë), më pas me shumë nipa,mbesa dhe stërnipa. Por, përndjekja e UDB-së jugosllave nuk e la te qetë, sapo djemt e tij u rritën ai dhe familja e tij, kaloi katrahura e persekutime të tjera, të cilat nuk e lanë të qetë gjer në vdekje.Qoftë i përjetshëm kujtimi i asaj nëne zemërmirë e burrëreshë dhe lusë Zotin që shpirti i saj të jetë në Parajsë së bashku me dy engjujt e saj (djalin e saj të vetëm qe ju vra për Lirinë e Atdheut dhe djalin e burrit qe ajo e pranoi s’i djalin e saj, përndryshe babain t’im që aq shumë i deshti, pa i harruar edhe vajzat e saj!.

NUSE SHQIP NË MOLLËN E KUQE
Atdheu im sa herë është tkurrur,
braktisur me dhunë
nga shqiptarët e mi,
duke marrë me vete vetëm emrin “shqiptar”,
me lot në sy,
zemra duke qajtur me ngashërim.
Gjyshi im ruam edhe sot,
mbiemrin e vjetër “Maqedonc”,
Nn kohën kur gjyshja ime
u bë nuse në Mollën e Kuqe,
në vendin ku flasin shqip
vetëm eshtrat nën dhe,
ose ndonjë zog që andej i bie fluturim
dhe këndon emrin e atdheut im,
poemën time të kafshuar
nga të katër anët,
me emrin Shqipëri.
shkruan: ©Makfire Maqedonci – Canolli
Na ndiqni në Facebook
Bëhuni fans të REDAKSISË Medvegja
