Poezia e javës UNË

Poezia UNË 003

UNË

Një ditë

E hapa dritaren

Në dhomën time

Hyri një erë freskie

Ishte ditë pranvere marsi

Rrezet e diellit i humbën retë

Në kopshtin tim bari e filloi ngjyrën

Ishte ngjyrë gjelbërimi dhe lulebore

I vetmuar në dhome time nuk kisha miq

Të shoh bukuritë që solli natyra me pranverën

E dija mirë që kjo ditë do të më presë s’kisha frikë

Më herët kisha mbetur i vetmuar, pa shoqëri e të afërm

Çdo lëvizje ime ishte  në vetmi, isha kalitur nga vetmia

Rinia ime ishte e tillë: Kisha shokë, shoqe, miq,  komshinj

Kisha të gjitha të mirat që i dëshiroja gjithmonë në jetën  time

Vetmia që sot më ka zënë nuk është  dëshirë që unë zgjodha  sot

Ma imponoi koha, lufta dhe njerëz të cilët na sollën në këtë  gjendje

Vështirë qenka të marrësh një rrugë pa dashje, sidomos atë të mërgimit

Më duket dielli që sot bie në dritaren time nuk është njëjtë sikur në Kosovë

Rrezet, nxehtësia dhe drita është e njëjtë, mirëpo nuk e ndjej ngrohtësinë e tij

Pranvera me gjelbërim e lule më dukej se vononte, kështu sot e ndiente shpirti im

Nganjëherë më dukej që stinët e vitit më kanë harruar, nuk ndieja ngrohtësinë time

Kurbeti m’i humbi të gjitha: gjuhën, kulturën, mirësinë, bujarinë, dashurinë e gjumin

U bëra një skllav pune, pa ditur asnjëherë të them JO, i mësuar si  një  qen i    mirë

Puna ma kaliti trupin, por ma zbrazi trurin, nuk kisha guximin ta përdor  kokën

Ishte një kohë boshe dhe e pakuptimtë, mendimi im nuk kishte vlerë   aspak

Çdo ditë koka ime zbrazej, kurse mendoja që duhet punë dhe vetëm   punë

  Edhe orenditë në banesën time nuk i lëvizja pa u konsultuar, pa më lejuar

Koha kalon çdo ditë, mendoj se ndoshta do të bëhet mirë në Kosovë

Të kthehem në vendlindje, në punën time ku dikur më larguan

Ta kthej mirësinë, bujarinë, krenarinë time që e kisha dikur

Të punoj, të jem i lumtur me punën time që do ta kryej

Nga kjo dritare sot ku jam të   mos vuaj në kurbet

Pranverën e diellin që sot i gjej vetëm në Atdhe

Në vendin tim, në oborrin e shtëpisë sime

Të flas gjuhen e nënës sime, shqipen

Të jem i lumtur çdoherë me jetën.

Të pres çdo stinë viti atje

Të krenohem që jam

Unë vetëm

Unë.

                                                                                                                 Shaban ABAZI

Share