Apel-Presheva Bujanoci Medvegja

Të nderuar bashkëvendas të mi!

Ju rikujtoj dhe ju ftoj të gjithëve që jeni nga trojet tona në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc, por edhe ju që gjendeni të shpërndarë kudo nëpër botë që të bëjmë çmos që të mos e harrojmë vendlindjen tonë të dashur. Të gjithë i dini shumë mirë vuajtjet dhe përjetimet që kanë pësuar dhe pësojnë bashkëvendasit tanë, të gjithë e dini që kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të lënë pas dore, të papërfillur dhe të keqtrajtuar. Të gjithë e dini që nuk kemi pasur as nënë as njerkë asnjëherë deri më tani, por kemi qenë dhe jemi në mëshirë të fatit. Me aftësitë profesionale dhe mundësitë materiale që ka secili prej nesh të angazhohemi për të mirën e trojeve tona. Përvoja e secilit prej nesh në fushat e ndryshme të jetës do të jetë kontribut i madh që të fillojmë ta mbështesim zhvillimin e mëtejmë në ekonomi, arsim, kulturë që gjeneratat tona të krenohen me atdheun e vet. Të punojmë sa më shumë që gjeneratat e reja të kenë një jetë më të shëndetshme dhe dinjitoze dhe të jetojmë në harmoni edhe me bashkëvendasit e kombeve të tjera. Këtë mund ta arrijmë vetëm me punë të madhe dhe me sjellje të qytetëruar. Me zgjedhjet e reja që do të mbahen për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi të hapim mundësi dhe horizonte të reja të jetës, sidomos për rininë edhe pasardhësit tanë!
Ju ftoj që t’i përgjigjeni ftesës dhe të vini të votoni në zgjedhje për Këshillin Kombëtar më 4 nëntor që ta formojmë një këshill i cili do të kujdeset për njerëzit që janë në nevojë dhe që me punën tonë t’u japim shpresë edhe atyre që nuk shohin dritë në fund të tunelit.

Nëse malet, lisat dhe ujërat e vendlindjes sonë do të kishin gojë, ato nuk do të tregonin, por do të klithnin për gjithë vuajtjet, vdekjet, keqtrajtimet dhe historinë e padrejtësisë së ushtruar mbi ne ndër breza. Historia përsëritet nëse ne nuk i mësojmë mësimet e saj.

Çdo komb, çdo popull, çdo etni që qëndron indiferent ndaj padrejtësisë, e ligjëron shtypjen dhe represionin që ushtrohet mbi të. Indiferenca është edhe më e tmerrshme se vetë padrejtësia, pasi ajo është pohim, është lejim i gjithçkaje të mbrapshtë që ndodh. Nuk ka asnjë shembull në botë që të tregojë se popujt letargjikë kanë fituar të drejtat dhe kanë prosperuar ndër breza. Përkundrazi, ndër breza ata që heshtin ndaj së keqes nisin të denatyrohen, të asismilohen dhe të humbasin identitetin, derisa zhduken përfare.
Është detyrë e secilit prej nesh të bëjmë për vendlindjen atë që kërkon çasti historik. Është detyrë e secilit t’i thërrasë origjinës dhe kujtesës së tij, të familjes së tij dhe të dalë të votojë, të vendosë vetë për ardhmërinë e tij dhe të mos ankohet e ligështohet nesër për gjendjen, siç ka bërë deri më tani.
Të nderuar bashkëvendas, ju bëj thirrje të jeni të sinqertë me veten dhe me fëmijët tuaj. Ju bëj thirrje të respektoni indentitetin dhe aspiratat tuaja dhe të mos e lini fatin tuaj në dorë të rastit e të fatit, të cilët, dihet nuk kanë qenë kurrë në anën tonë. Ju bëj thirrje të kujtoni sakrificat e baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve. Ato nuk meritojnë heshtje dhe indiferencë, por meritojnë edhe respekt edhe vlerësim, meritojnë përkushtim dhe përgjegjësi për atë çfarë ne kemi sot në dorë të bëjmë.
Dilni nga shtëpitë, prisheni rutinën, mos e pranoni letargjinë dhe votoni për vete, për vendlindjen, për fëmijët tuaj. Nuk kemi atdhe tjetër përveç këtyre viseve dhe jemi vetëm ne përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Koha është tani, vendi është këtu. Kushdo që nesër dëshiron t’i tregojë fëmijës së vet një histori dinjiteti dhe drejtësie, le ta bëjë këtë me vepra: dilni në votime, të dashur bashkëvendas të mi, vendosni vetë për ardhmërinë.

shkruan: Dr. Naile Mala-Imami

Share