
LËVIZJA “VATRA”, DEGA NË FUSHË KOSOVË NJOFTIM:
Dje, më datë 01.12.2015 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetari i Lëvizjes “Vatra”, dega në Fushë Kosovë z.Fehmi Ramadani së bashku me anëtarin e Kryesisë z.Lulzim Ibishi kanë mbajtur një takim shumë të ngrohtë dhe miqësor me z.Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z.Kadri Veseli me gjendjen aktuale të shqiptarëve të zhvendosur nga Lugina e Preshevës pas konflikteve të fundit në rajon, me theks të veçantë në Komunën e Fushë Kosovës, por dhe të shqiptarëve që jetojnë në ato tri komuna të mbetura nën administrim serb.
Në këtë takim janë shtruar çështjet të cilat janë aktuale, si aksioni i fundit i administratës serbe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të këtij rajoni, konkretisht në Medvegjë dhe rajonin e Malësisë së Bujanocit, çështja e militarizimit të shtuar të rajonit, formimi i bazave dhe punkteve të ndryshme ushtarako-policore në këtë rajon, problemin e ndalimit të librave në gjuhën shqipe që kohë më parë ishin dhuruar nga Qeveria e republikës së Kosovës për nxënësit shqiptarë të Luginës, por që pushteti serb po i mban në terminalin doganor të Preshevës dhe nuk po i lejon të përdoren nëpër shkollat shqipe.
Me këtë rast, z.Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të republikës së Kosovës shprehu reagimin e tij për diskriminimin e vazhdueshëm që po zhvillon Beogradi mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, sidomos kundër politikës diskriminuese ndaj arsimit shqip dhe shfaqi mbështetjen e tij të plotë në ndihmë të popullatës së zhvendosur të kësaj ane e që jetojnë në Kosovë, përkatësisht në Fushë Kosovë. Ai, njëherësh përfaqësuesit e “Vatrës” i siguroi se në çdo kohë do të jetë i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij për ta ndihmuar këtë popullatë, si në aspektin e shkollimit, punësimit, pajisjes me dokumente identifikuese, si dhe integrimit të tyre të plotë në jetën shoqërore dhe politike.
Më, 2.12.2015 Zyra për Komunikime Lëvizja “Vatra”- Fushë Kosovë
shkruan Fehmi RAMADANI
Na Ndiqni në FACEBOOK
Bëhuni pjesë e Faqes Medvegja REDAKSIA https://www.facebook.com/medvegja.redaksia
