
Shqiptarët e Kosovës Lindore dhe Këshilli Kombëtar
Shqiptarët e Kosovës Lindore me shekuj jetojnë në trojet e tyre dhe me shumë sakrifica i kanë përballuar të gjitha format e represionit mbi ta. Por dhuna dhe represioni i pushtetit serb mbi popullatën shqiptare të asaj ane,i shprehur gjatë luftës në Kosovë dhe më pas, si dhe injorimi i të drejtave elementare, ka bërë që numri i shqiptarëve të Kosovës Lindore të zvoglohet dukshëm, ndërsa në Medvegjë, në pjësën më të madhe të vendbanimeve shqiptare, të bëhet spastrim etnik. Duke qenë qytetarë të shtetit të Serbisë, shqiptarët e Kosovës Lindore do të jenë nën trysninë e vazhdueshme të politikës antishqiptare.
Pushteti në të gjitha rrethanat ka zbatuar politika që për qëllim kanë pasur largimin permanent të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Këtij qëllimi ngadal, por sigurt ia ka arritur. Kështu vepron edhe sot e tërë ditën. Sistemi pluralist dhe formimi i partive politike, u dha mundësi edhe shqiptarëve të ngrejnë zërin e tyre dhe të kërkojnë të jetojnë me dinjitet dhe të barabartë më të tjerët. Për fat të keq, me krijimin e partive politike shqiptare në Kosovën Lindore, lindën edhe mosmarrëveshjet mes shqiptarëve. Të pakoordinuar mes vete dhe të përçarë i gjeti edhe lufta e UÇPMB-ës dhe kjo situatë e përçarjes dhe mosmarrëveshjeve konstante vazhdon të jetë prezente edhe tani. Të përçarë dhe pa as më të voglën përkrahje nga shteti ëmë, Shqipëtia, e aq më pak Kosova, ata nuk do arrijnë të realizojnë pothuajse asgjë nga nevojat dhe kërkesat e tyre legjitime. Sot, kur jemi në prag të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, shqiptarët e Kosovës Lindore garojnë me disa parti dhe subjekte tjera.
Të shpresojmë se ky Këshill do kompozohet nga të rinj të arsimuar dhe edukuar në frymë kombëtare dhe me njerëz kompetent e me përgjegjësi, që e dojnë vendin e tyre dhe punojnë pa u lodhur për t’i adresuar nevojat dhe kërkesat e shumta të shqiptarëve të Kosovës Lindore, në organet përkatëse shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe të bëjnë çmos që kërkesat e tyre të realizohen. Për të pasur sukses në punë, Këshilli Kombëtar Shqiptar duhet të ketë një platformë të studiuar në detaje dhe të përpiluar mirë. Për realizimin e kërkesave, detyrave dhe obligimeve që dalin nga platforma, duhet që anëtarët e Këshillit të kenë harmoni të plotë. Ata duhet të kenë edhe një « ushtri » këshilltarësh e bashkpunëtorësh.
.
Duhet që me menquri të shfrytëzohen të gjitha të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë ligjet e Serbisë, pjesë e së cilës është Kosova Lindore. Natyrisht, në rrethanat aktuale, duhet kërkuar ndihmë nga shteti ëmë, i cili, përveq disa vizitave folklorike, nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar konkretisht një pjesë të popullit të saj, e nuk pritet as në një të ardhme të afërt. Për Kosovën dhe ndihmën e saj as që mund të flitet. Keshilli Kombëtar do duhej të tregoj harmoni të plotë në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me tri komunat. Se a janë aktivistët politik unik dhe të sinqertë në angazhimet e tyre, mund ta dëshmojnë edhe me gatishmërinë e tyre që funksionet me përgjegjësi dhe detyrat me peshë, të përcillen nga njëra komunë në tjetrën. Këtu e kam fjalën për pozitën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, të deputetit apo të ndonjë pozite tjetër. Jam i sigurt se në të tri komunat ka njerëz që mund t’i marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe t’i kryejnë ato me përkushtim.
.
Problemet shoqëroro-politike e ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova Lindore, nuk mund t’i zgjidh një person. Në rastin e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Këshillit duhet të kenë unitet të plotë dhe ta përkrahin dhe ndihmojnë personin që do e zgjedhin për kryesues. Ata duhet të kërkojnë fuqishëm ndihmën e shtetit në të gjitha fushat e jetës, e poashtu të kërkojnë edhe ndihmën e diasporës shqiptare për të zhvilluar ekonominë dhe hapur vende të reja pune.
Në këtë drejtim vlenë të merret si shembull, kontributi i z. Muharrem Salihu, i cili me bizneset e tij ka hapur vende pune dhe ka punësuar me qindra punëtorë. Një kontribut që është për çdo lëvdatë!
Ndihmë duhet kërkuar edhe nga shteti ëmë dhe bashkësia ndërkombëtare për realizimin e të drejtave politike.
Nga shteti i Serbisë, nga shteti ëmë, nga bota perëndimore dhe nga diaspora, duhet kërkuar ndihmë finansiare, gjithnjë duke ofruar projekte të studiuara mirë dhe garancione e lehtësime për investitorët potencial.
Natyrisht, uroj që zgjedhjet të kalojnë në frymë demokratike e civilizuese, ndërsa personave të zgjedhur, suksese në punën e tyre me rëndësi të madhe kombëtare.
.
Shkruan:Kadri Ferati, ish mësimdhënës dhe aktivist shoqëroro-politik nga Medvegja Më 02. 11. 2018, në Porrentruy, Zvicër
